Direkt zum Hauptbereich

Gjimshiti: Shume prej nesh jane lindur jashte Shqiperise por familjet na kane rritur me dashurine per Shqiperine

 


Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti, iu bashkua trajnerit Silvinjo në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme kundër Italisë.

Ndeshja ndaj Italisë është shumë e rëndësishme për progresin tonë në Europian...

Natyrisht që të gjitha tre ndeshjet janë thelbësore, por nëse e fillojmë me një rezultat pozitiv, kjo mund të na japë një motivim shtesë për të ecur përpara. Një rezultat i mirë kundër Italisë do të ishte një shtysë e madhe për ndeshjet e tjera.

Do të përballeni me shokun tuaj të skuadrës, Skamakën. Keni biseduar me të kohët e fundit dhe çfarë prisni nga kjo përballje?

E njoh shumë mirë, pasi kemi luajtur së bashku për një sezon të plotë. Nuk kemi folur që nga festa e fitores në Ligën e Europës, por fokusi është te ndeshja Shqipëri-Itali, jo te dueli individual Gjimshiti-Skamaka.

Italia ka pasur disa vështirësi në ndeshjet e fundit miqësore. Mendoni se kjo është një kurth i tyre?

Sigurisht që kemi ndjekur ndeshjet e fundit të Italisë dhe trajneri na ka theksuar pikat e tyre të forta, ku duhet të jemi të kujdesshëm. Analiza është bërë dhe besoj se jemi përgatitur mirë për të qenë gati për ndeshjen e nesërme.

Çfarë elementi nga Seria A dhe futbolli italian është prezent në këtë Kombëtare Shqiptare?

Ka shumë nga futbolli italian, pasi shumë prej nesh luajnë në Itali, dhe trajneri ka një përvojë të madhe në Serinë A. Njohim mirë kundërshtarët tanë, por jemi të vetëdijshëm që përballemi me kampionët në fuqi, të cilët gjithmonë luajnë për të fituar. Duhet të jemi të kujdesshëm.

Shumë lojtarë të Kombëtares Shqiptare janë fëmijë emigrantësh që kanë lindur dhe janë rritur në vende të tjera, por përfaqësojnë Shqipërinë...

Është e vërtetë. Shumë prej nesh kemi lindur ose jemi rritur jashtë Shqipërisë, por jemi shqiptarë. Në familjet tona flitet shqip dhe jemi rritur me dashurinë për vendin tonë. Jemi krenarë që përfaqësojmë Shqipërinë.

Fitove Ligën e Europës këtë sezon me Atalantën. Cilat janë përvojat apo emocionet që do të dëshironit t'i ndanit me shokët e skuadrës?

Triumfi në Ligën e Europës ishte rezultati i një pune të gjatë dhe të vështirë. Jemi përgatitur për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe shpresojmë që të na ecë mbarë.

Çfarë ka sjellë puna e trajnerit te ju?

"Puna e trajnerit na ka përmirësuar shumë që nga ardhja e tij më shumë se një vit më parë. Ai punon çdo ditë për të na ndihmuar dhe ka qenë një futbollist i madh dhe një motivator i jashtëzakonshëm. Kemi kaluar nëpër një grup të vështirë dhe kemi marrë shumë komplimente, jo vetëm ne, por edhe stafi dhe trajneri," tha Gjimshiti.

Kommentare

Native